Instituti i Kërkimit dhe Zhvillimit Barleti (BIRD) në bashkëpunim me Departamentin e Shkencave të Edukimit dhe Trajnimit Profesional në Universitetin “Barleti” dhe Akademinë e Edukimit dhe Mësimdhënies Barleti pjesë e Barleti Training and Testing Center (BTTC), përfundoi dje, me datë 17 Nëntor, trajnimin e trajnerëve të projektit “Edukimi i të rinjve nëpërmjet modelit “STEAM””, projekt që mbështetet nga Bashkia Tiranë në kuadër të veprimtarive të Tiranës si Kryeqyteti Europian i Rinisë. Në këtë aktivitet u trjanuan dhe certifikuan 10 trajnerë të modelit mësimor “STEAM” nga 5 gjimnazet: “Sami Frashëri”, “Qemal Stafa”, “Ismail Qemali”, “Besnik Sykja”, “P. Nini Luarasi”. Trajnimi u mundësoi krijimin e aftësive profesionale për planifikimin dhe zbatimin e orëve mësimore dhe projekteve ndërlëndore, sipas modelit “STEAM”, lidhur me shkencat, teknologjinë, aftësitë inxhinierike, artet dhe matematikën. Pjesëmarrësit shqyrtuan dhe analizuan veçoritë e klasave “të thyera” dhe “të zhurmshme” si karakteristikë e mësimdhënies dhe të nxënit me anë të modelit “STEAM”, duke përfunduar dhe me hartimin e planeve mësimore konkrete për t’u zbatuar në orë mësimore ose në projekte ndërlëndore. Trajnerët e rinj vizituan gjithashtu dhe mjedisin mësimor/ hapësirën krijuese/ maker space ku zhvillohet mësimdhënie sipas modelit “STEAM” në Universitetin “Barleti”. Projekti do të vijojë me përhapjen dhe realizimin e orëve mësimore dhe projekteve ndërlëndore të bazuara te kjo filozofi dhe te ky model në gjimnazet e projektit.