Në ambientet e UNIBA, Fakulteti i Shkencave Sociale, Turizmit dhe Sportit, drejtuar nga Zv. Rektori për Çështjet e Studentit dhe Komunitetit dhe Dekan, Prof. Dr. Artan Shyti, dhe nën kujdesin e Shoqatës “Barleti”, përfaqësuar nga Kryetari z. Ilia Kuro. në bashkëpunim me Njësinë Kombëtare të Ozonit, e drejtuar nga znj. Mimoza Vokshi, më dt 19 Nëntor u zhvillua një aktivitet informues dhe ndërgjegjësues me tematikë: “Vajzat dhe Aksioni për Klimën: Protokolli i Montrealit dhe roli i RRR për një të ardhme të qëndrueshme.”
Të pranishëm ishin 70 studentë dhe pedagogë të programit të edukimit fizik dhe sporteve, të cilët pritet të jenë mësuesit e ardhshëm dhe kontribues të drejtpërdrejtë në edukimin e brezave për çështjet mjedisore.
Gjatë takimit u referuan tema të rëndësishme, ndër të cilat:
– Femrat në luftën për mbrojtjen e Shtresës së Ozonit
– Roli i vajzave dhe grave në sektorin RAC
– Ndikimi I 3R -ve dhe veprimit të gjelbër në përditshmëri
– Mundësitë që të rinjtë kanë në profesionet teknike dhe të gjelbërta.
– “Integrimi i perspektivës gjinore në Protokollin e Montrealit.”
Pjesëmarrësve iu prezantuan materiale vizuale dhe video edukative të fokusuara në rolin e femrave dhe të çdo individi në komunitet për mbrojtjen e mjedisit.
Interaktiviteti i studentëve, diskutimet dhe pyetjet e ngritura krijuan një hapësirë të vlefshme reflektimi dhe shkëmbimi idesh për nisma të ardhshme.
Një moment thelbësor i aktivitetit ishte theksimi i rolit të grave në ndërgjegjësimin dhe edukimin mjedisor, i cili u përmbledh në këtë citim:
“Roli i grave në ndërgjegjësimin mjedisor përbën një faktor kyç në forcimin e përgjegjësisë komunitare dhe në promovimin e politikave të qëndrueshme.”
Në mbyllje, u nënvizua se nismat e tilla edukative janë investim afatgjatë për një shoqëri të shëndetshme dhe të qëndrueshme, duke përcaktuar drejtimin e duhur për brezat që vijnë.







