5HELIX – Sesion Informues me Studentët: Nga Ideja te Startup-i

Në kuadër të projektit 5HELIX, u zhvillua një sesion informues me studentët, me qëllim prezantimin e mundësive që ofron Programi i Inkubimit 5HELIX dhe nxitjen e të rinjve për të transformuar idetë inovative në iniciativa konkrete startup-i.

Gjatë sesionit, studentët u njohën me programin 5HELIX, procesin e aplikimit dhe mbështetjen që do t’u ofrohet pjesëmarrësve gjatë gjithë rrugëtimit të inkubimit. Një vëmendje e veçantë iu kushtua mënyrës se si një ide mund të zhvillohet, validohet dhe të ndërmarrë hapat e parë drejt krijimit të një startup-i.

Pjesëmarrësit e përzgjedhur në program do të përfitojnë nga workshop-e praktike, mentorim dhe këshillim nga ekspertë, zhvillim të idesë dhe modelit të biznesit, aktivitete validimi dhe përgatitje për pitching.

Me fokus të veçantë në inovacionin digjital dhe të gjelbër, 5HELIX synon të krijojë një mjedis ku studentët, startup-et, mentorët, ekspertët dhe aktorët e ekosistemit të inovacionit mund të bashkëpunojnë dhe të transformojnë ide premtuese në zgjidhje me potencial real.

Sesioni synoi gjithashtu të inkurajojë studentët që të përfshihen aktivisht në ekosistemin e startup-eve, të eksplorojnë sipërmarrjen dhe të shfrytëzojnë mundësitë që ofron 5HELIX për të kaluar nga ideja në veprim.

Ke një ide inovative? 5HELIX mund të të ndihmojë të ndërmarrësh hapin e radhës.

Ky aktivitet u realizua nga Barleti Institute for Research and Development (BIRD) në kuadër të projektit 5HELIX, me mbështetjen financiare të Startup Albania-s dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit.